Trajneri i trofeve, katër tituj kampioni me katër ekipe të ndryshme

Nga Shkupi në majat e futbollit kosovar

Zekirija Ramadani, 47-vjeçar nga Shkupi, është një emër i njohur në botën e futbollit, veçanërisht në Kosovë.

Aktualisht trajner i Dritës që nga viti 2023, ai arriti ta shpallë skuadrën kampione të Kosovës për herë të katërt dhe ta futë në fazën e grupeve të UEFA Conference League.

Strategu shkupjan, i njohur për profesionalizëm, disiplinë dhe autoritet të lartë, para Dritës kishte dalë kampion edhe me Trepçën ’89 (2017), Feronikelin (2018/19) dhe Prishtinën (2020/21).

Suksesi i fundit me Dritën (2024/25) e bën atë trajnerin e vetëm që ka fituar titullin me katër klube të ndryshme në Kosovë.

Sukseset si fryt i punës dhe përkushtimit

Zeka thekson se këto arritje janë rezultat i punës së përbashkët të ekipeve që ka drejtuar, por nënvizon se “dora e trajnerit” mbetet faktor vendimtar në futboll.
Sipas tij, një trajner që ka guxim, besim dhe aftësi për të lexuar mirë lojën, që di të përzgjedhë dhe seleksionojë lojtarët e duhur, nuk do t’i mungojnë sukseset.

Nga fusha në bankinë,  rrugëtimi i një profesionisti

Zeka filloi karrierën si futbollist në moshën 15-vjeçare.

Luajti si sulmues krahu për shumë vite, duke nisur te Sloga Jugomagnat në Shkup, më pas për Bashkimin e Kumanovës, Vëllazërimin, si dhe jashtë vendit për Karabağ në Azerbajxhan.

Ai është aktivizuar edhe me Flamurtarin e Vlorës.

Si futbollist, debutoi për Kombëtaren e Maqedonisë në korrik të vitit 2000 në një ndeshje miqësore kundër Azerbajxhanit, duke regjistruar gjithsej 7 paraqitje deri në vitin 2004.

Në moshën 33-vjeçare, ai i dha fund karrierës si futbollist për të filluar rrugëtimin e tij si trajner.

Kampion me katër skuadra të ndryshme në Kosovë

Karrierën e trajnerit e nisi në Shkup, me skuadrën e qytetit të tij në Ligën e Dytë të Maqedonisë (2014–15).

Vetëm një vit më vonë mori drejtimin e Trepçës ’89 në Superligën e Kosovës dhe e shpalli kampione në sezonin 2016–17, duke fituar edhe Superkupën e Kosovës (2017).

Në sezonin pasues, Ramadani fitoi sërish titullin kampion, këtë herë me Feronikelin (2018/19), duke rrëmbyer edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës (2019).
Në vitin 2020 u ul në bankinën e Prishtinës, me të cilën fitoi titullin kampion në sezonin 2020/21.
Suksesi i fundit i madh erdhi me Dritën në sezonin 2024/25, duke kompletuar kështu një arritje unike në futbollin kosovar: katër tituj me katër skuadra të ndryshme.

Përveç këtyre ekipeve, Zeka ka drejtuar edhe Egnatian në Shqipëri dhe Ohod në Arabinë Saudite.

Filozofia e punës dhe personaliteti në bankinë

Ramadani njihet si strateg me logjikë të qartë taktike, vizion të gjerë dhe këmbëngulje për ta zbatuar stilin e vet të lojës.

Ai synon që skuadra e tij të ketë zotërim të topit, qarkullim të shpejtë dhe sulme të organizuara, pa u ndikuar nga mënyra se si luan kundërshtari.

I njohur për komunikim të matur dhe etikë sportive, ai rrallëherë bën kritika publike ndaj kolegëve apo gjyqtarëve.

Kur humb, merr përgjegjësinë vetë dhe shpesh e pranon hapur se ku ka gabuar.

Zeka kërkon lojë kolektive dhe futboll modern, duke vlerësuar stërvitjen e disiplinuar dhe përgatitjen psikologjike të lojtarëve.

Ai ka ndjekur trajnime ndërkombëtare të nivelit të lartë për licencimin e trajnerëve dhe ndjek me vëmendje strategjitë e trajnerëve botërorë që aplikojnë futboll ofensiv.

Një profesionist me përvojë dhe kulturë të gjerë

Përveç gjuhës amtare, Zeka flet rrjedhshëm anglisht, turqisht, maqedonisht dhe serbokroatisht, gjë që e ka ndihmuar në punën e tij ndërkombëtare.
Falë përvojës së pasur, karakterit të fortë dhe rezultateve konkrete, Zekirija Ramadani mbetet një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më të respektuar në futbollin kosovar e më gjerë.

 

Shënim:

Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

Shpërndaj me të tjerët