SPORT/ Drita pëson disfatë nga Peja në udhëtim

Skuadra e Dritës në konkurrencën e meshkujve ka pësuar humbje në udhëtim ndaj Pejës me rezultat 3:1 në sete, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 8-të të Superligës A në volejboll.

​Gjilanasit e patën të vështirë ta nisnin mbarë takimin, duke dorëzuar dy setet e para ndaj vendasve me shifrat 25:22 dhe 25:15. Kjo disfatë e pestë këtë edicion mban Dritën në mesin e tabelës së elitarëve të volejbollit kosovar.

​Pavarësisht disavantazhit të dyfishtë, Drita tregoi karakter në setin e tretë. Me një lojë më të organizuar dhe më agresive në pikët vendimtare, gjilanasit arritën ta fitonin setin 23:25 duke ngushtuar epërsinë dhe duke rikthyer shpresat për përmbysje.

​Megjithatë, reagimi i Dritës u ndal me aq, pasi Peja riktheu kontrollin në setin e katërt dhe e mbylli atë 25:17, duke vulosur përfundimisht fatin e takimit./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët