Në mesin e oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që kanë përfunduar me sukses Programin për Studime të Aplikuara të Sigurisë (Program on Applied Security Studies – PASS) në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani, është edhe gjilanasi nënkolonel Fatlum S. Demiri.
Së bashku me major Leutrim Hotin dhe major Gurakuq Haradinajn, ai mori pjesë në këtë program të organizuar nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall Center”, ku u diplomuan gjithsej 82 pjesëmarrës nga 51 shtete të botës.
PASS është një program pasuniversitar në studimet ndërkombëtare të sigurisë, që ka për qëllim të forcojë aftësitë e profesionistëve civilë dhe ushtarakë për të analizuar dhe adresuar sfidat bashkëkohore të sigurisë, përmes dialogut strategjik, të nxënit të aplikuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky program shërben si platformë për edukim strategjik dhe ndërtim rrjeti, që përgatit oficerë të nivelit të mesëm dhe të lartë për të formuluar e zbatuar strategji të integruara të sigurisë në përputhje me vlerat demokratike dhe normat ndërkombëtare.
Oficerët e FSK-së janë vlerësuar për sukseset e tyre gjatë programit, duke qenë udhëheqës grupesh, prezantues kryesorë dhe kontribues aktivë në diskutimet profesionale.
Nënkoloneli Fatlum Demiri është shprehur thellësisht mirënjohës ndaj lidershipit të FSK-së për besimin dhe mundësinë e dhënë për pjesëmarrje në këtë program prestigjioz.
“I jam thellësisht mirënjohës lidershipit të FSK-së që besoi tek unë dhe më përzgjodhi të marr pjesë në këtë program në Qendrën George C. Marshall, një mundësi kuptimplote për të mësuar, për t’u rritur dhe për të kontribuar,” ka deklaruar Demiri.


