Klubi i karatesë “AS” nga Gjilani ka shënuar një tjetër paraqitje fantastike në skenën sportive, duke u kurorëzuar me sukses dhe duke rrëmbyer një numër të madh medaljesh në Turneun Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Kjo ngjarje e rëndësishme sportive, e organizuar nga Federata e Karatesë e Kosovës, u mbajt më 1 Nëntor 2026 në Prizren.
Klubi gjilanas u paraqit me shtatë garues të talentuar, të cilët nën udhëheqjen e trajnerit Alban Beqiri dëshmuan punë të palodhshme, disiplinë dhe nivel të lartë përgatitjeje, duke u kthyer në shtëpi me plot nëntë medalje: dy të arta, katër të argjendta dhe tri të bronzta.
Në këtë konkurrencë të fortë, Kiara Beqiri u shpall kampione në disiplinën e luftërave në kategorinë +34 kg, ndërsa u stolis edhe me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në KATA.
Sukses të jashtëzakonshëm pati edhe Erina Sherifi, e cila u shpall kampione në luftëra për kategorinë -54 kg, kurse rrugëtimin e mbylli me një medalje bronzi në luftërat OPEN për kadete.
Për suksesin e klubit kontribuan edhe garuesit e tjerë me paraqitje mbresëlënëse. Hatigje Zejnullahu u stolis me titullin e nënkampiones në luftëra për kategorinë -50 kg.
Në disiplinën e KATA-ve, Bora Gagica u shpall nënkampione duke fituar medaljen e argjendtë, kurse Alnisa Miftari u radhit në vendin e tretë duke fituar medaljen e bronztë.
Po ashtu, Alea Ajeti tregoi paraqitje shumë të mirë duke u nderuar me medaljen e bronztë në luftëra për kategorinë -35 kg.
Ky rezultat dëshmon edhe një herë potencialin e madh që ka klubi “AS” dhe gjeneratat e reja të karatesë në Gjilan, të cilët vazhdojnë ta përfaqësojnë qytetin me dinjitet dhe sukses në çdo garë zyrtare.
