Një mërgimtar nga diaspora, i cili ka dëshiruar të mbetet anonim, ka dhuruar 26 llaptopë për fëmijët jetimë, ka njoftuar shoqata “Ismalic Relief Kosovo” në Prishtinë.
Sipas zyrtarëve të shoqatës, në fazën e parë janë shpërndarë 26 llaptopë për fëmijët jetimë në kryeqytet, ndërsa në fazën e dytë pritet të shpërndahen edhe 14 të tjerë për fëmijët në komuna të tjera të Kosovës.
Nga shoqata kanë falënderuar mërgimtarin për këtë gjest human dhe frymëzues, që u mundëson fëmijëve jetimë një arsimim më të lehtë dhe më të denjë në epokën digjitale.

“Zoti e shpërbleftë këtë bashkatdhetar që po bëhet pjesë e gëzimit të fëmijëve jetim dhe ndihmesës që po u jep atyre duke u mundësuar një shkollim më të lehtë”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Shoqata gjithashtu ka bërë thirrje publike për të gjithë ata që kanë llaptopë apo kompjuterë që nuk i përdorin, t’i dorëzojnë përmes shoqatës për fëmijët jetimë që kanë nevojë për to.
“Faleminderit që po bëheni pjesë e edukimit të jetimëve”, përfundon njoftimi i shoqatës “Ismalic Relief Kosovo”.

