Selver Xhelili reagon pas dorëheqjes së Memli Krasniqit: “E mbajte PDK-në gjallë në ditët më të vështira”
Ish-kandidati për deputet nga PDK dhe afaristi i njohur në fushën e turizmit në Shqipëri, Selver Xhelili nga Gjilani, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një reagim në llogarinë e tij, Xhelili ka shprehur mirënjohje për punën dhe lidershipin e Krasniqit, duke e cilësuar atë si një figurë që mori përgjegjësi në momentet më të vështira për partinë.
“Kryetar, të falënderoj sinqerisht për bashkëpunimin dhe përkushtimin që ke treguar gjatë gjithë udhëheqjes tënde. I përkisje një gjenerate të re, por me vendosmëri dhe vizion arritët ta mbani partinë gjallë, të mos lejoni të fundoset dhe të ruani identitetin e saj politik e institucional,” ka shkruar Xhelili.
Ai shtoi se lidershipi i vërtetë nuk matet me poste, por me guximin për të marrë përgjegjësi dhe për të qëndruar pranë njerëzve e vlerave të partisë.
“Me dorëheqjen tënde dëshmove maturi politike dhe respekt për unitetin e PDK-së. Historia e partisë do ta kujtojë rolin tënd si një periudhë që i dha drejtim, stabilitet dhe dinjitet partisë në kohë të ndjeshme,” përfundoi Xhelili.

