A mund të përballet Shqipëria me Kosovën në mars? Ja skenarët e mundshëm

 

Një xhiro para fundit, Shqipëria e ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në sfidat e muajit mars, por ende mbetet për t’u përcaktuar në cilën vazo do të pozicionohet.

Ky detaj është vendimtar për të kuptuar se cilët mund të jenë rivalët e kuqezinjve në ndeshjet e “play-off”-it.

Pavarësisht se përballja ndaj Anglisë më 16 nëntor duket një mision i vështirë, Shqipëria synon të marrë pikët e para historike ndaj “Tre Luanëve”, duke qenë se deri më sot nuk ka arritur të sigurojë asnjë pikë përballë tyre.

Kombëtarja ka treguar në këtë periudhë se është e aftë të thyejë tabu, ndaj entuziazmi mbetet i lartë.

Aktualisht, sipas renditjeve, Shqipëria pozicionohet në vazon e dytë, një vendim provizor që mund të ndryshojë pas takimeve të tjera të kësaj jave. Një fitore ndaj Anglisë do të forconte qëndrimin në këtë vazo.

Nëse Shqipëria mbetet në vazon e dytë, atëherë në mars mund të ketë rivalë si Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnja e Hercegovina apo edhe Kosova.

Për më tepër, ndeshjen e parë të “play-off”-it kuqezinjtë do ta luanin në shtëpi.

Megjithatë, skenari mund të ndryshojë në varësi të rezultateve të ardhshme.

Nga ana tjetër, sipas pikëve aktuale në renditjen e FIFA-s, ekziston mundësia që Shqipëria të bjerë në vazon e tretë.

Në atë rast, kundërshtarë të mundshëm do të ishin Skocia, Çekia ose Sllovakia, ndërsa ndeshjen e parë do ta luanin në transfertë.

 

Shpërndaj me të tjerët