Ndeshja më e rëndësishme për Kosovën sonte në Slloveni

 

 Përfaqësuesja e Kosovës sonte luan në transfertë kundër Sllovenisë në kuadër të Grupit B, ndeshje që do të zhvillohet në kryeqytetin slloven, Lubjanë. Kjo sfidë është vendimtare për “Dardanët”, të cilët me një rezultat pozitiv sigurojnë së paku vendin e dytë që i dërgon në fazën “play off”. Ndërkohë, Sllovenia me fitore mban gjallë shpresat për ta marrë vetë këtë pozicion. Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar para ndeshjes se ekipi synon vetëm fitoren.

“E kemi analizuar Slloveninë, jo vetëm ndeshjen direkte, por edhe ato kundër kombëtareve tjera. Synimi ynë është absolutisht fitorja dhe shpresoj që përmes analizave të arrijmë këtë”, u shpreh Foda.

Ai kujtoi se në ndeshjen e parë të dy kombëtaret luajtën me kujdes, por pa arritur të shënojnë.

“Asnjëra skuadër nuk i shfrytëzoi rastet. Pres diçka të ngjashme edhe nesër dhe detajet mund të bëjnë diferencën”, tha trajneri.

Foda gjithashtu la të kuptohet se kapiteni Amir Rrahmani mund të jetë i gatshëm, pasi ka zhvilluar tri ndeshje të plota me Napolin. Edhe pse pak i ngarkuar, pritet të jetë gati për sfidën. Në krahun tjetër, trajneri i Sllovenisë, Matjaž Kek, ka folur për mungesat në ekipin e tij, mes tyre edhe Adam Cerin e Benjamin Šeško, por ka shprehur besim në paraqitjen e skuadrës së tij.

“Ndeshja do të jetë e vështirë, jemi në fazën vendimtare. E respektojmë atë që Kosova ka bërë së fundmi, por njohim edhe cilësitë tona. Këto ndeshje kërkojnë karakter dhe përgjegjësi. Jam i bindur se do të jemi të mirë nesër”, deklaroi Kek.

Sfida Slloveni – Kosovë nis në orën 20:45, ndërsa “Dardanëve” u mjafton një barazim për të siguruar fazën “play off”.

Shpërndaj me të tjerët