Zemra shqiptare trashëgohet, një falënderim për prindërit
Nga Bylbyl Sokoli
Lojtarët tanë mund të mos jenë rritur në qytetet tona, por dashuria për atdheun dhe lidhja me rrënjët e tyre shqiptare është e trashëguar nga prindërit.
Sakrificat dhe përkushtimi i familjeve që jetuan larg vendit kanë formuar zemrat që rrahin për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kjo duket në çdo ndeshje, në çdo himn që këndohet me krenari.
Shkrimi i plotë nga Bylbyl Sokoli:
Shumë prej lojtarëve tanë nuk kanë lindur në Kosovë apo Shqipëri, nuk janë rritur në qytetet tona dhe nuk kanë vrapuar pas topit në fushat tona të vogla, por zemrat e tyre mbeten shqiptare.
Mjafton t’i shohësh si flasin shqip me krenari, edhe kur shqipja e tyre nuk është e përsosur, si vendosin dorën mbi zemër dhe këndojnë himnin, në ato momente nuk ka rëndësi ku kanë lindur, por ku rreh zemra.
Kjo dashuri nuk imponohet; ajo trashëgohet në shtëpi dhe përcillet brez pas brezi, nga prindër që nuk e harruan kurrë atdheun.
Prindër të lojtarëve tanë, ju që keni jetuar larg vendit me mall, sakrifica dhe punë të vështira, ishit ura që ruajtët gjuhën, identitetin dhe lidhjen me rrënjët.
Sot, fëmijët tuaj janë krenaria e gjithë shqiptarisë, dëshmia se shqiptar nuk bëhesh vetëm kur lind, por kur bart atdheun në zemër e mendje, kudo që jeton.
Faleminderit! Faleminderit që rritët gjenerata që i rrahin zemrat për atdheun, edhe kur jetojnë mijëra kilometra larg tij.
Kur lojtarët dalin në fushë, ata nuk luajnë vetëm për veten e tyre. Luajnë për ju, për sakrificat tuaja, për shtëpitë që lanë pas, për gjuhën që s’e harruat. Luajnë për Kosovën dhe Shqipërinë me zemër, përjetësisht.

(Autori është trajner futbolli, profesor universitar dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Kosovës)

