Kërkohet që 21 Nëntori të njihet si datë historike në Bujanoc

Njëri ndër ushtarët e UÇPMB-së dhe komandant i togut, Bekim Limani, i njohur me nofkën Bekimi i Zi,  ka kërkuar nga institucionet lokale në Bujanoc që data 21 nëntor të shënohet si ditë historike e kësaj komune.

Ai ka kujtuar se më 21 nëntor 2000, Brigada 111 “Fatmir Ibishi” zhvilloi një aksion të koordinuar në Kodrën e Lluqanit, një ndër pikat më të rëndësishme strategjike të asaj kohe.

Sipas Limanit, aksioni kishte nisur rreth orës 09:30 dhe kishte zgjatur deri në orën 16:00.

Gjatë këtij ndërhyrjeje, një numër simbolik ushtarësh goditën pozicionet serbe, të cilat në fund u braktisën nga forcat policore serbe, duke lënë pas tyre armatim, municion dhe trupat e të vrarëve në istikame.

Menjëherë pas kësaj, pozicionet u morën nën kontroll nga ushtarët e UÇPMB-së. Komandant Limani theksoi se në këtë aksion nuk pati të plagosur nga pala shqiptare, ndërsa kujtoi me nderim bashkëluftëtarët që morën pjesë.

Ai përmendi se tre prej tyre ranë dëshmorë më vonë,  një në Lluqan dhe dy në Brodec. “Lavdi dëshmorëve të kombit, nder dhe respekt për të gjithë bashkëluftëtarët”, ka përfunduar komandant Bekim Limani, duke rikujtuar rëndësinë historike të kësaj date për komunën e Bujanocit dhe për luftën e UÇPMB-së.

 

Shpërndaj me të tjerët