Një ditë para ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, dhe futbollisti Blerton Sheji janë shprehur të vendosur për ta marrë fitoren ndaj Prishtinës së Re, në duelin e javës së 14-të të Superligës.
Sheji tha se ekipi është përgatitur mirë dhe se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar: “Prishtina e Re nuk duhet nënvlerësuar aspak, janë skuadër që lufton deri në fund. Fokusi ynë është i plotë për të bërë një paraqitje të mirë dhe për të fituar.”
Edhe trajneri Ramadani ishte i qartë: “Kemi për qëllim të arrijmë fitoren dhe tre pikët. Çdo gjë tjetër për ne do të ishte negative. Ne nuk bëjmë llogaritje, çdo ndeshje e marrim më vete me qëllim të fitojmë.”
Drita po vazhdon garimin në dy fronte, ndërsa Ramadani theksoi se lojtarët po rikuperohen.
Për ndeshjen e nesërme mungon Manaj dhe në dyshim mbetet Faton Maloku.
Në anën tjetër, skuadrës i janë rikthyer Tusha, Balaj dhe Blerim Krasniqi.
Kujtojmë se takimin e parë të këtij kampionati, Drita e kishte fituar me rezultat 2:1 ndaj Prishtinës së Re.
Ndeshja FC Drita – FC Prishtina e Re luhet nesër, në ora 13:00, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Drita gjendet në vendin e tretë me 20 pikë, ndërsa Prishtina e Re në pozitën e fundit me 11 pikë.

