Fatmir Spahiu – Bufi emocionon me mesazhin e tij para ndeshjes Drita–Shkëndija: “Një festë futbollistike e një populli që dikur ia ndaluan këtë lojë”
Aktori i njohur shqiptar, Fatmir Spahiu – Bufi, ka reaguar në profilin e tij në Facebook në prag të ndeshjes së shumëpritur ndërmjet FC Dritës dhe Shkëndijës së Tetovës.
I njohur si tifoz i zjarrtë dhe adhurues i madh i Dritës, si dhe një nga themeluesit e “Intelektualëve”, Bufi ka shkruar një mesazh të mbushur me emocion dhe simbolikë kombëtare.
Ai thotë se nga aspekti sportiv ndeshja është e vështirë sepse “njëra duhet të fitojë”, por nga ana kombëtare është më e mira që mund të ndodhë. Mesazhi i tij i plotë:
“Në rrafshin sportiv, ndeshja mes Dritës tem dhe Shkëndijës së Tetovës do të ishte mirë të mos ndodhte, sepse njëra duhet me fitu, ose njërës duhet me i ra ma mirë.
Aaaa në rrafshin kombëtar, s’ka pas qysh ma mirë. Një natë para Ditës së Flamurit, takohen dy klube shqiptare të zhvilluara pak a shumë në rrethana të njëjta, të diskriminuara por të rilindura nga hiri, bash si historia jonë.
Le të jetë kjo ndeshje për Universitetin e Tetovës, për Mujdin Aliun, për historinë tonë.
Data 27 Nëntor le të jetë një festë futbollistike e një populli të cilit kjo lojë iu ishte ndaluar! Rrnofte Shkendija! Përpara Drita!.”
Me këtë mesazh, Bufi e ka cilësuar përballjen Drita–Shkëndija si më shumë se një ndeshje futbolli, një simbolike e bashkimit, e krenarisë dhe e historisë së përbashkët shqiptare.
