Ka ndërruar jetë në moshën 61-vjeçare Nijazi Ramadani, një ndër figurat më të veçanta dhe kontribuuese në shumë fusha në jetën shoqërore të Gjilanit.
Ai ishte i përndjekur politikisht, i burgosur dhe i maltretuar për bindjet e tij, duke mbetur gjithë jetën shembull i atdhetarisë, integritetit dhe guximit intelektual.
Nijazi Ramadani ishte gazetar, publicist, kritik letrar dhe mësimdhënës, një krijues i gjithanshëm i cili la gjurmë të thella në kulturën dhe jetën shoqërore shqiptare.
Në fushën e letërsisë ai u shqua për punën e tij në poezi, prozë, dramë e roman, por edhe për studimet e shumta, kritikën letrare, të teatrit dhe artit pamor.
Ai ka botuar recensione, vështrime, ese, artikuj dhe trajtesa të shumta në revista brenda dhe jashtë vendit, ndërsa një pjesë e punimeve të tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera.
Për veprën e tij kanë shkruar shumë autorë të njohur në mediume të ndryshme shqiptare.
Ramadani për shumë vite drejtoi Shtëpinë Botuese “Rrjedha” dhe ishte editor i revistës “Ushtima e maleve”, duke ndikuar fuqishëm në promovimin e krijimtarisë dhe kulturës shqiptare.
Përveç veprimtarisë së tij letrare e publicistike, ai kontribuoi edhe në arsim, duke qenë mësimdhënës i matematikës në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në kulturën, arsimin dhe intelektualitetin e Gjilanit dhe më gjerë.

