Gjilani në javën e 14-të të Superligës hyn me një objektiv të vetëm, fitoren. Skuadra kuqebardhë beson se ka çdo arsye që kjo të realizohet në duel me Ferizajn.
Trajneri Debatik Curri, në deklarimin e tij një ditë para ndeshjes, theksoi rëndësinë e madhe të sfidës për vazhdimësinë e kampionatit, duke pranuar se përballja nuk do të jetë e lehtë, por një provë e vërtetë për ekipin e tij.
Ai kërkoi dhe mbështetjen masive të tifozëve për përballjen e së dielës.
“Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, duke ditur që ky edicion në Superligë ka treguar se është vështirë të luash kundër çdo ekipi. Kemi pasur kohën e duhur për t’u përgatitur dhe besoj se do të japim maksimumin nga i pari te i fundit. Shpresojmë të kemi vazhdimësi pas fitores në Malishevë dhe të ngritemi aty ku na takon si klub”, tha Curri.
Ai uroi edhe 26-vjetorin e tifo-grupit “Skifterat”, duke shprehur hapur admirimin për ta, madje edhe në periudhat kur nuk ishte pjesë e këtij mjedisi.
“Besojmë se me përkrahjen e tifozëve dhe me numër sa më të madh në tribuna do të arrijmë suksesin”, përfundoi ai.
Takimi i parë mes këtyre dy ekipeve këtë edicion ishte mbyllur me fitoren minimale të Gjilanit 1:0 në Ferizaj.
Në tabelë, Gjilani renditet në pozitën e 8-të me 15 pikë, ndërsa Ferizaj një vend më poshtë, në të 9-tën, me 14 pikë.

