Kryetari Hyseni sqaron çështjen e buxhetit: “Nuk kemi hyrë në obligime pa mbulesë financiare”
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë një sqarim publik lidhur me situatën e krijuar rreth buxhetit komunal dhe menaxhimin financiar gjatë kësaj periudhe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar se, ashtu si kryeqyteti, edhe Gjilani po përballet me problemin e buxhetit të pamiratuar, mirëpo qasja e menaxhimit ka qenë krejtësisht ndryshe.
Sipas tij, Komuna e Gjilanit ka respektuar në tërësi legjislacionin dhe nuk ka hyrë në obligime pa mbulesë financiare, duke siguruar që çdo shpenzim të jetë i bazuar në kornizën e lejuar ligjore.
“Mungesa e buxhetit të miratuar dhe operimi me 1/12 e buxhetit të vitit paraprak ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft sfidues,” ka shkruar Hyseni.
Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të thirret seanca konstitutive, ku pritet të votohet edhe bartja e mjeteve vetanake me qëllim të mbulimit të obligimeve të akumuluara.

