Aksion humanitar i dhurimit të gjakut në Stacionin Policor të Kamenicës në prag të 28 Nëntorit
Në Stacionin Policor të Kamenicës sot është zhvilluar një aksion i rëndësishëm i dhurimit vullnetar të gjakut, i cili vjen në prag të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, një datë që simbolizon sakrificën, lirinë dhe unitetin e shqiptarëve.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, ndërsa pjesëmarrja ishte tërësisht vullnetare. Polici, staf administrativ dhe qytetarë të shumtë iu bashkuan këtij nisma humanitare, duke treguar se solidariteti dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët janë vlera që vazhdojnë të kultivohen fuqishëm në komunitetin e Kamenicës.
Organizatorët theksuan se dhurimi i gjakut është një nevojë e përhershme për institucionet shëndetësore, dhe se çdo pikë gjaku e dhuruar mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes për pacientët në gjendje kritike.
“Ky aksion ka për qëllim të kontribuojë në shpëtimin e jetëve të atyre që kanë më së shumti nevojë për gjak. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për përgjigjen e tyre të menjëhershme dhe për humanizmin që treguan”, u tha ndër të tjera nga organizatorët.
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë që u ofrohet mundësia të kontribuojnë për një kauzë kaq të rëndësishme, sidomos në një ditë simbolike për kombin.
Faleminderit të gjithë vullnetarëve për solidaritetin dhe gatishmërinë për të dhuruar gjak, një akt i thjeshtë që shpëton jetë dhe mbjell shpresë!
