Kosova shpërblehet si kurrë më parë: 1 milion euro për kualifikim në Botëror

 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se janë ndarë mjete të konsiderueshme financiare për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në shenjë vlerësimi dhe motivimi për sukseset e arritura deri më tani.

Sipas vendimit, Qeveria në detyrë ka ndarë 250 mijë euro për kualifikimin në “play-off”, 500 mijë euro në rast fitoreje kundër Sllovakisë dhe plot 1 milion euro nëse Kosova siguron historikisht pjesëmarrjen në Botërorin 2026.

Kjo konsiderohet si mbështetja më e madhe financiare e ndarë ndonjëherë për Kombëtaren e Kosovës.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka falënderuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë vlerësim dhe mbështetje institucionale.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ekipit kombëtar, falënderoj kryeministrin në detyrë dhe Qeverinë për shpërblimin e ndarë. Kjo mbështetje është dëshmi e besimit të plotë në punën, përkushtimin dhe rrugëtimin që po ndërtojmë së bashku”, ka shkruar Ademi.

Ai shtoi se këto shpërblime përbëjnë një motivim të fuqishëm për futbollistët, të cilët janë të fokusuar maksimalisht në ndeshjet vendimtare që i presin.

“Falënderimi ynë shkon për të gjithë ata që po qëndrojnë krah Kombëtares dhe futbollit kosovar. Kjo mbështetje është jetike në këtë fazë, ku çdo detaj dhe çdo motivim ka rëndësi. Bashkë po e shkruajmë historinë”, ka deklaruar Ademi.

 

Shpërndaj me të tjerët