Drita dhe Ballkani kanë zhvilluar një nga derbit më interesante të javës së 15-të në Albi Mall Superligë, duel që përfundoi me fitoren e ngushtë të mysafirëve, 2:3, në një ndeshje me shumë emocione, ritëm dhe rivalitet të fortë sportiv.
Ballkani shënoi tre gola në pjesën e parë përmes Tolajt, Ribero dhe Hamidit, ndërsa Drita reagoi me një gol të Kristal Abazajt, i cili më pas shënoi edhe golin e dytë në pjesën e dytë, duke u bërë lojtari më i rrezikshëm i skuadrës vendase.
Pjesa e parë ishte e dobët për Dritën, që pësoi tre gola brenda 45 minutave dhe nuk u pa në ritmin e zakonshëm.
Në pjesën e dytë, skuadra e Ramadanit ndryshoi lojën dhe dominoi plotësisht, por nuk arriti të përmbyste rezultatin, duke shënuar vetëm një herë.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet tri pikë para Dritës dhe i kthehet triumfeve pas katër ndeshjeve pa fitore, në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, kroatit Mislav Karoglan.
Në anën tjetër, Drita humbi rastin të barazohej me liderin Prishtinën, e cila u mposht dje nga Prishtina e Re.
Skuadra gjilanase do të kërkojë ta rikuperojë këtë hap të humbur në ndeshjet e radhës, duke pasur parasysh edhe lodhjen nga gara ndërkombëtare, pasi vetëm para tri dite, të enjten fitoi derbin shqiptar ndaj Shkëndijës së Tetovës në Conference League.

