Në Brno të Çekisë po zhvillohet një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane për bashkëpunim akademik, Infosession-i i organizuar nga Komisioni Evropian, me mbështetjen e Agjencive Nacionale të Austrisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Sllovenisë.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar po merr pjesë edhe një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” nga Gjilani.
Delegacioni i UKZ-së përbëhet nga Rektori, Prof. Assoc. Dr. Artan Dërmaku; Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka; Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Assoc. Dr. Selim Daku; si dhe Drejtori për Buxhet dhe Financa, Valon Kllokoqi.
Në Infosession janë mbledhur përfaqësues të universiteteve nga pothuajse i gjithë kontinenti evropian, si dhe nga Azia, Afrika dhe Amerika, për të diskutuar mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe projektet ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë.
Për UKZ-në, kjo pjesëmarrje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të partneritetit ndërkombëtar dhe për rritjen e vizibilitetit të universitetit në arenën globale.
Delegacioni ka planifikuar një seri takimesh bilaterale dhe multilaterale me universitete të ndryshme, të cilat pritet të shërbejnë si bazë për projekte të përbashkëta në programet ERASMUS+ CBHE, Jean Monnet dhe Erasmus Mundus Design Measures.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së arsimit në UKZ, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe zhvillimin e projekteve të reja akademike me ndikim të gjerë.

