Familja Kastrati themelon Fondacionin “Xhemail R. Kastrati”, dhuron bursat e para për nxënësit e talentuar
Familja Kastrati ka njoftuar themelimin e Fondacionit “Xhemail R. Kastrati”, një iniciativë që synon të nderojë jetën dhe veprën e Xhemail Kastratit, duke mbështetur arsimin, talentin e të rinjve dhe zhvillimin e komunitetit.
Xhemail Kastrati ishte një mërgimtar i përkushtuar, i cili më shumë se 30 vjet punoi me përkushtim në Zvicër, duke mbështetur familjen dhe duke kontribuar me zemër të madhe për atdheun.
Ai ishte shembull i njeriut të ndershëm, punëtor, i lidhur me zhvillimet politike e shoqërore, dhe për më tepër një arsimdashës që besonte se edukimi është rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të mirë.
Themelimi i fondacionit është mënyra e familjes për ta kthyer trashëgiminë e tij në një burim të vazhdueshëm frymëzimi dhe mundësish për gjeneratat e reja.
Lajmi është bërë i ditur nga Ramiz Kastrati, themelues i ProCoders Center në Gjilan dhe djali i të ndjerit, i cili theksoi se ky fondacion do të ketë dy misione kryesore: nxitjen dhe përkrahjen e arsimit, përmes bursave dhe projekteve për të rinjtë me talent, dhe kontributin në zhvillimin e komunitetit, duke mbështetur iniciativa me ndikim shoqëror.
Fondacioni ka realizuar tashmë veprimin e parë konkret: dhënien e 5 bursave për nxënësit më të talentuar të Shkollës “Avni Rrustemi” në Karaqevë të Epërme, komuna e Kamenicës, vendlindja e Xhemail Kastratit.
Vlera totale e bursave është 1,200 euro. Ramiz Kastrati tha se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi që synon të vazhdojë misionin e babait të tij për mbështetjen e brezave të rinj dhe forcimin e komunitetit.
Fondacioni “Xhemail R. Kastrati” pritet të ndërmarrë edhe projekte të tjera në arsim, kulturë dhe zhvillim lokal në të ardhmen.

