Selver Xhelili rikthen kandidaturën për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Afaristi i njohur dhe i suksesshëm në bregdetin shqiptar, Selver Xhelili, ka njoftuar se do t’i rikthehet garës për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Të dashur miq, shokë, familjarë dhe gjithë ata që më njohin, me këtë postim dua t’ju njoftoj se po i rikthehem garës zgjedhore, së bashku me kolegët e mi, në kuadër të ekipit të Kryeministrit në ardhje, Bedri Hamza, për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit,” shkruan Xhelili.
Ai ka kujtuar se zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kishte marrë mbi 10 mijë vota, kanë qenë një test i rëndësishëm dhe një motivim i madh për të vazhduar rrugëtimin politik.
“Analizat paszgjedhore kanë qenë inkurajuese dhe tregojnë se tani ecja mund të jetë edhe më e sigurt,” thekson Xhelili.
Në fund, ai konfirmon se në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë pjesë e listës së PDK-së, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për këtë subjekt, për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër si dhe për vetë kandidaturën e tij për deputet.
“Faleminderit për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme!” përmbyll ai njoftimin e tij.

