Shpërndahen ndihma për jetimët në Gjilan

 

Ndihma dhe kujdesi për jetimët nuk po ndalet në Komunën e Gjilanit.

Kësaj radhe, shoqata Islamic Relief Kosova ka realizuar një mision të radhës, i cili për ta mund të duket i thjeshtë, por ka një ndikim të madh tek kjo kategori e ndjeshme e shoqërisë.

Në fazën e parë janë shpërndarë 66 pako ushqimore për fëmijët jetimë dhe familjet e tyre që përballen me kushte të vështira jetese.

Ndihmat janë dërguar gjatë ditës së sotme në Gjilan dhe Zhegër.

Këtë aktivitet e ka bërë të ditur Dardan Veseli, humanist dhe përfaqësues i kësaj shoqate, përmes një video–inqizimi, ku ka shpjeguar misionin dhe rëndësinë e mbështetjes për familjet në nevojë.

Ndërkohë, rreth 100 familje të tjera, edhe pse jetojnë në kushte më të mira, kanë po ashtu nevojë për përkrahje, sidomos gjatë ditëve të ftohta të dimrit. Shoqata u bën thirrje qytetarëve të kontribuojnë sipas mundësisë me 5€, 10€, 20€, 50€, 100€ apo aq sa e ndien zemra, për të qenë pjesë e veprave të bamirësisë.

“Bashkëngjitju karvanit të bamirësve!” është mesazhi i tyre për të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Shpërndaj me të tjerët