Ura kryesore që lidh Livoçin e Epërm me Livoçin e Ulët në komunën e Gjilanit prej javësh ndodhet në gjendje tejet të rënduar si pasojë e reshjeve të fuqishme të fundit.
Deformimet dhe dëmtimet strukturore në këtë urë po rrezikojnë seriozisht sigurinë e qindra banorëve që e përdorin çdo ditë për të lëvizur mes dy fshatrave.
Situata ka shkaktuar shqetësim të madh tek komuniteti lokal, pasi qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm dhe çdo kalim paraqet rrezik real për banorët, automjetet dhe nxënësit që udhëtojnë drejt shkollave.
Për këtë gjendje alarmante ka reaguar Elbasan Shabani, nga Lwvizja “Vatra”, i cili pritet të jetë pjesë e listës së deputetëve të AAK-së.
“Ura është bërë gati e pakalueshme dhe rrezikon çdo ditë e më shumë. Apelojmë urgjentisht tek institucionet lokale që të ndërhyjnë pa vonesë, në mënyrë që të rikthehet funksionaliteti dhe siguria për banorët,” ka deklaruar Shabani.
Banorët kërkojnë që komuna dhe organet përkatëse të marrin masa të menjëhershme, përpara se dëmtimet të shndërrohen në një rrezik të pakthyeshëm.
