Besnik Krasniqi ka shpëtuar Dritën në minutat shtesë të ndeshjes, duke realizuar një gol të bukur që barazoi rezultatin në 1:1 ndaj Dukagjinit.
Nga zona e rreptësisë së klinasve, Krasniqi gjuajti me të majtën dhe e dërgoi topin në këndin e djathtë të portierit vendas, duke i dhënë Dritës një pikë të rëndësishme në kuadër të javës së 16-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Më herët, në minutën e 51-të, ish-lojtari i Dritës, Dionit Isufi, kishte ndëshkuar skuadrën e tij të dikurshme me një gol të realizuar pas një aksioni të rrezikshëm, duke kaluar Dukagjinin në epërsi.
Dukagjini, me lojën e tyre tashmë karakteristike dhe mbrojtjen e ngjeshur, vazhdoi me paraqitje solide, ndërsa Drita, në një terren të vështirë për lojë, arriti të barazojë rezultatin vetëm në fund, megjithëse në pjesën e dytë ishte më kërkuese dhe dominuese.
Me këtë barazim, Dukagjini arrin kuotën e 27 pikëve, ndërsa Drita shkon në 24 pikë pas javës së 16-të.
