Presidentja Osmani viziton FC Drita-n në Gjilan, dhurohet fanellë me numrin 1
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Gjilan, ka takuar edhe skuadrën më të trofeshme pas luftës, FC Drita-n. Klubi gjilanas e ka cilësuar këtë vizitë si një moment historik dhe një vlerësim të madh për punën e tyre.
“Sot patëm nderin dhe privilegjin të presim në FC Drita Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni. Kjo ishte një nga vizitat më të rëndësishme në historinë e klubit tonë, një moment që na mbushi me krenari dhe motivim të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftimin e klubit.
Gjatë vizitës, drejtuesit e FC Drita-s i dhuruan Presidentes një fanellë zyrtare të klubit me numrin 1, si simbol nderimi dhe mirënjohjeje.
Presidentja Osmani u informua për punën, angazhimet dhe arritjet e klubit, ndërsa prania e saj u vlerësua si një inkurajim i madh për klubin dhe komunitetin sportiv.
“Prania e Presidentes është vlerësim i madh për rolin që FC Drita ka në zhvillimin e sportit, komunitetit dhe rinisë”, thekson klubi.
Në fund, bardhekaltërit shprehën mirënjohjen e tyre:
“Faleminderit Presidente! FC Drita do të mbetet gjithmonë shtëpia e vlerave dhe suksesit.”

