Kryetari Alban Hyseni, priti presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka prit në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ku dhe kanë vizituar biznesin Interplast trocal. Pastaj shijuan performancën frymëzuese nga Kori i grave ‘Muza’ në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore. Po ashtu vizituan institucionin parashkollor “Integj” dhe klubin e futbollit “Drita”.

Kryetari i Gjilanit, tha se sot patën nderin të mirëpresin presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, me të cilën vizituan biznese dhe u takuan me shumë qytetarë të Gjilanit.

I pari i Gjilanit, tregoi se gjatë vizitës u ndalën në kompaninë “Interplast Trocal”, ku panë nga afër punën e tyre cilësore dhe diskutuan për rolin e bizneseve lokale në zhvillimin ekonomik të qytetit tonë.

“Falënderojmë përzemërsisht presidenten Osmani për vizitën, për mbështetjen dhe për interesimin e treguar për projektet dhe nevojat e Gjilanit”, Alban Hyseni.

Ndërsa presidentja e Kosovës, tha se ishte një ditë e mbushur me energji, kreativitet dhe frymëzim në Gjilan.

“Urova kryetarin Alban Hysenin, për mandatin e tij të dytë dhe bashkëbiseduam për projektet që do t’i japin qytetit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja”, tha Vjosa Osmani.

E para e vendit theksoi se së bashku kaluan çaste të paharrueshme në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, me disa performanca frymëzuese nga Kori i grave ‘Muza’, si dhe në mesin e më të vegjëlve e më të ëmbëlve, në kopshtin IP “Integj”.

Presidentja Osmani tha se po ashtu, dëgjuan për sukseset e kompanisë Interplas trocal, si lidere në rajon dhe një shembull i shkëlqyer i punës së mirë, inovacionit dhe vizionit që e çojnë shtetin tonë përpara.

“Vizituam edhe klubin e futbollit “Drita”, të cilët i përgëzova për rezultatet në nivel shtetëror, e posaçërisht në garat evropiane, në të cilat po na bëjnë krenarë të gjithëve. Faleminderit Gjilan”, tha presidentja Osmani.

 

 

Shpërndaj me të tjerët