Gjilani gati për Garat Komunale të Matematikës këtë të shtunë

 

Bregan Isufi, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, dega në Gjilan (SHMK-Gjilan), ka njoftuar se Garat Komunale të Matematikës do të mbahen këtë të shtunë, më 13 dhjetor 2025, në lokalet e Gjimnazit Shoqëror  “Zenel Hajdini” në Gjilan, me fillim nga ora 10:00.

Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) Gjilan, ndërsa  informimi ju është përcjellë  të gjitha shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në komunë.

Ky është viti i parë që garat zhvillohen në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet SHMK dhe SHMK–Gjilan, marrëveshje e cila ka sjellë disa vonesa teknike në shpërndarjen e njoftimeve zyrtare. Organizatorët falënderojnë shkollat për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Afatet dhe përzgjedhja e nxënësve

“Deri më 10 dhjetor 2025, të gjitha shkollat janë të obliguara të dorëzojnë listën e nxënësve pjesëmarrës”, ka bërë të ditur kryetari Isufi.

Numri i përfaqësuesve nga secila shkollë përcaktohet sipas numrit të nxënësve të klasave 7–12:

Shkollat me deri në 200 nxënës → 1 nxënës

Shkollat me 201–500 nxënës → 2 nxënës

Shkollat me 501–1000 nxënës → 3 nxënës

Shkollat me mbi 1000 nxënës → 4 nxënës

Organizatorët theksojnë se qëllimi mbetet i qartë: ta ruajmë Gjilanin si model të organizimit dhe qendër të ekselencës matematikore në Kosovë.

Shpërndaj me të tjerët