Një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë nga dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, menaxherja e projektit Labinota Ramadani, zyrtarja certifikuese financiare Hidajete Jashari-Latifi dhe Betim Berisha nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar, po përfaqësojnë UKZ-në në takimin zyrtar kick-off të projektit GREEN IMPACT.
Punimet po zhvillohen në Universitetin e Agrikulturës në Plovdiv, nga data 10 deri më 12 dhjetor.
Projekti GREEN IMPACT ka për objektiv forcimin e kapaciteteve të universiteteve në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërtimin e infrastrukturës së gjelbër dhe përafrimin me standardet evropiane të qëndrueshmërisë.
Gjatë punimeve të para në Plovdiv, delegacioni i UKZ-së ka veçuar:
Diskutimet në sesionet teknike të projektit, ku u prezantuan pakot e punës, planifikimi i aktiviteteve dhe modeli i qeverisjes së projektit, pjesëmarrjen në Konferencën Vjetore të AUP, ku u prezantuan praktika inovative mbi qëndrueshmërinë në arsimin e lartë, takimet me partnerë të rinj ndërkombëtarë nga Spanja, Turqia, Bullgaria dhe vende të tjera të rajonit, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja akademike dhe institucionale.
Delegacioni ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në një projekt të ri, për të cilin njoftimi do të bëhet së shpejti.
Përmes GREEN IMPACT, UKZ synon të avancojë kapacitetet në drejtim të qëndrueshmërisë, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e një kampusi më të gjelbër dhe më miqësor me mjedisin.
