Shkrimtari Ibrahim Kadriu nderohet me çmimin “Nderi i Qytetit” nga Komuna e Gjilanit

 

Sot, në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, z. Kushtrim Zeqiri, ia dorëzoi çmimin më të lartë komunal “Nderi i Qytetit” shkrimtarit të madh të letrave shqipe, z. Ibrahim Kadriu.

Ky çmim i lartë i Komunës së Gjilanit i ndahet shkrimtarit Kadriu në shenjë mirënjohjeje dhe respekti të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën kombëtare, letërsinë shqipe dhe në ruajtjen e kujtesës historike e shpirtërore të popullit shqiptar.

Me këtë rast, u mbajt edhe një fjalim solemn, në të cilin u theksua roli i veçantë i Ibrahim Kadriut si një nga figurat më përfaqësuese të letërsisë shqipe dhe si një nga gurët themeltarë të identitetit krijues të Gjilanit dhe të mbarë kombit.

Në fjalimin e tij, drejtori Zeqiri theksoi se kjo ngjarje përkon me 80-vjetorin e jetës së shkrimtarit Kadriu, duke e bërë edhe më domethënëse ndarjen e këtij vlerësimi.

Ai rikujtoi se Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni, më herët i kishte ndarë shkrimtarit edhe çmimin “Çelësi i Qytetit”, ndërsa më pas në Kuvendin Komunal u propozua shpallja e tij “Nderi i Qytetit”, propozim që u miratua unanimisht nga asamblistët.

“Ibrahim Kadriu është prej atyre krijuesve të rrallë që e kanë shndërruar fjalën shqipe në dritë. Vepra e tij e gjerë dhe e thellë përbën një univers ku historia, njeriu dhe dhembja jonë kolektive marrin trajta estetike të pakrahasueshme”, u tha ndër të tjera në fjalim.

U theksua gjithashtu se Kadriu, përveçse shkrimtar i shquar, është edhe ruajtës i kujtesës kombëtare, i drejtës dhe i atdheut. Si shembull u përmend edhe libri i tij më i ri “Nëna e mbi treqind luftëtarëve”, kushtuar Nënë Stanës – Nënës së UÇK-së, duke e shndërruar në art sakrificën dhe krenarinë e popullit shqiptar gjatë luftës çlirimtare.

Në fund të ceremonisë, drejtori i Kulturës kumtoi edhe motivacionin zyrtar të çmimit, ashtu siç është miratuar nga institucionet komunale:

“Nderi i Qytetit – Ibrahim Kadriu, në nderim dhe mirënjohje të kontributit të dhënë në rrugëtimin e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut dhe kombit përmes letrave shqipe.”

Me këtë akt, Komuna e Gjilanit shpreh falënderimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për një jetë të tërë të kushtuar kulturës, atdheut dhe kombit shqiptar

 

Shpërndaj me të tjerët