Derbi lokal mbyllet në barazim, pjesëlojë e dytë spektakolare në Gjilan

 

 Derbi lokal ndërmjet Dritës dhe Gjilanit ka përfunduar me barazim 1:1, në një përballje që dhuroi emocione, raste të shumta dhe një pjesëlojë të dytë tejet atraktive.

Pjesëloja e parë u karakterizua me dominim pothuajse total të Dritës.

Rasti më i mirë erdhi nga një goditje me kokë e Dabiqajt, por horizontalja shpëtoi portën e Laroshit.

Gjilani u kundërpërgjigj vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pas një aksioni të shpejtë, Basa ishte shumë pranë shënimit.

Në pjesëlojën e dytë loja mori tjetër rrjedhë.

I sapo futur në fushë, Arb Manaj, në minutën e 75-të, pas një krosimi të saktë nga Besnik Krasniqi, shënoi me kokë dhe i dha epërsinë Dritës, duke zhbllokuar rezultatin në 1:0.

Gjilani, që kishte gjashtë ndeshje radhazi pa humbje, reagoi shpejt dhe u paraqit shumë më mirë në vazhdim.

Në minutën e 79-të, Armend Thaçi realizoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë të portës së Malokut për barazimin 1:1.

Ndeshja u shoqërua me shumë kartonë të verdhë, përfshirë edhe trajnerin e Dritës Zekën, i cili mori edhe të kuqin, si dhe me aksione të bukura dhe duele të forta në fushë.

Rasti i fundit i madh erdhi për Gjilanin, në minutën e 89-të, kur pas një rrëmuje të krijuar nga një gjuajtje nga këndi, Jaroviq goditi topin e dëbuar, por mbrojtësi i Dritës, Pëllumbi, shpëtoi një gol të sigurt.

Pjesëloja e dytë ishte e shkëlqyeshme, ndërsa barazimi u dëshmua si rezultat i drejtë për të dyja skuadrat.



Shpërndaj me të tjerët