Nga zemra për të parët, Ademi dhe të rinjtë pastruan varrezat e fshatit Llovcë

 

Këshilltari komunal në Kuvendin e Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Ademi, i cili ishte një nga befasitë e zgjedhjeve të fundit lokale, i është bashkuar një aksioni vullnetar të të rinjve në vendlindjen e tij, në fshatin Llovcë.

Ai ka marrë pjesë në punët për rregullimin dhe pastrimin e varrezave të fshatit, një iniciativë që prej kohësh po realizohet me përkushtim dhe vullnet të madh nga të rinjtë dhe komuniteti lokal.

“Sot iu bashkova kushërinjve që prej një kohe po punojnë me zemër në rregullimin dhe pastrimin e varrezave të fshatit Llovcë. Ajo që kanë bërë, bashkë me ndihmën e komunitetit, tregon më së miri se kur ka vullnet dhe bashkim, nuk ka pengesë që na ndal. Ndihem vërtet krenar dhe mirënjohës për secilin që dha mundin e vet,” ka shkruar Ademi.

Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe organizatorët e aksionit: Avni Rexhepi, Basri Murseli, Hevzi Murseli, Avni Hajdini, Nderim Murseli, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë nismë.

“Kujdesi për varrezat është shenjë respekti dhe nderimi për të parët tanë,” ka përfunduar Ademi.

 

Shpërndaj me të tjerët