Kryetari Hyseni vazhdon vizitën në Turqi, takon biznese të fuqishme ekonomike

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vazhduar vizitën e tij në Turqi, ku po zhvillon takime me përfaqësues të bizneseve të suksesshme dhe institucioneve relevante ekonomike.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni nga Gjilani u prit nga Fahrettin Gülener, pronar i grupit të ndërmarrjeve ERMETAL, i cili numëron mbi 1600 punëtorë, njëherit Kryetar i Bordit të Fondacionit ERTEV dhe Konsull Nderi i Kosovës në Bursa.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik, mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, me theks të veçantë në nivelin lokal dhe komunal.

Kryetari Hyseni shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe gatishmërinë e z. Gülener për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim të mëtejmë në të ardhmen, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për qytetarët e Gjilanit.

 

Shpërndaj me të tjerët