Ndalohet kontrabandimi i rreth 4.500 etiketave të dyshuara për shkelje të pronësisë intelektuale

 

Dogana e Kosovës ndalon mallra me shenja të markave të njohura, iniciohet procedurë kundërvajtëse ndaj një udhëtari

Zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Han i Elezit kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta kufitare.

Gjatë verifikimit të bagazhit, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në total rreth 4.500 copë.

Sipas Doganës së Kosovës, mallrat e sekuestruara mbajnë shenja dalluese të markave të njohura tregtare dhe dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.

Etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi ekziston rreziku që ato të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur në treg si mallra të markave të njohura.

Ky veprim dëmton drejtpërdrejt mbajtësit e markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Autoritetet theksojnë se edhe rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit.

Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe parandalimin e importit dhe qarkullimit të mallrave të paligjshme në vend.

 

Top of Form

Bottom of Form

 

Shpërndaj me të tjerët