IHMK demanton lajmet për temperatura ekstreme –20°C

IHMK: Parashikimet për –20°C nuk janë zyrtare, informohuni vetëm nga burime institucionale

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar ndaj lajmeve të fundit në media dhe portale që flasin për temperatura ekstreme deri në –20°C dhe reshje të mëdha bore në fund të vitit, duke i cilësuar ato si jozyrtare dhe shkaktare të konfuzionit te qytetarët.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, IHMK është institucioni i vetëm i autorizuar për parashikimin zyrtar të motit dhe për lëshimin e paralajmërimeve të hershme për ngjarje të jashtëzakonshme hidrometeorologjike në Republikën e Kosovës. Çdo parashikim apo paralajmërim nga subjekte apo individë të tjerë konsiderohet i jashtëligjshëm, jo profesional dhe shkencërisht i pasaktë.

IHMK thekson se parashikimet e motit bazohen në standardet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë, duke përdorur të dhëna nga satelitë, radarë dhe stacione tokësore. Saktësia është e lartë për parashikimet afatshkurtra (1–3 ditë), mesatare për 4–7 ditë dhe e ulët për periudha më të gjata, ku jepen vetëm tendenca e jo kushte të sakta.

Instituti u bën thirrje qytetarëve që të mos i besojnë informacioneve të paverifikuara dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të IHMK-së për gjendjen e motit dhe paralajmërimet eventuale.

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët