SC Gjilani U15 nënkampion, U17 mbyll stinorin si kampion dimëror

SC Gjilani U15 nënkampion dimëror, U17 mbyll stinorin si kampion dimëror

Kategoritë e reja të SC Gjilanit kanë përmbyllur me sukses pjesën vjeshtore të kampionatit, duke konfirmuar punën e mirë dhe potencialin e madh të gjeneratave të reja të klubit.

Ekipi SC Gjilani U15, i drejtuar nga trajneri Leutrim Arifi, ka pasur një gjysmësezonë shumë pozitive, duke dimëruar në vendin e dytë të tabelës. 15-vjeçarët kanë grumbulluar 29 pikë, me nëntë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, ndërsa golaverazhi mbresëlënës është 41 gola të shënuar dhe 9 të pranuar.

Pionierët e “kuqebardhëve” pritet ta vazhdojnë garën pranverore me të njëjtin ritëm dhe shpirt luftarak.

Ndërkohë, skuadra SC Gjilani U17 ka shkëlqyer në pjesën e parë të sezonit, duke u shpallur kampione dimërore.

Futbollistët e drejtuar nga trajnerët Sadulla Ajeti dhe Selajdin Jerliu kanë regjistruar bilanc perfekt me tetë ndeshje dhe tetë fitore, duke realizuar 32 gola dhe pranuar vetëm 12, për të grumbulluar gjithsej 24 pikë.

Kadetët dimërojnë në pozitën e parë, me synime të qarta për vazhdimin e garës dhe sigurimin e Play-Offit Nacional.

SC Gjilani vazhdon të dëshmojë se puna me gjeneratat e reja është në rrugën e duhur, ndërsa të dyja ekipet U15 dhe U17 hyjnë në stinorin pranveror me ambicie për suksese të reja dhe paraqitje dinjitoze.

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët