FC Drita U15 kampione dimërore, U17 mbyll gjysmësezonin në pozitën e tretë

Gjeneratat e reja të FC Dritës kanë përmbyllur me sukses pjesën e parë të kampionatit, me ekipin U15 që është shpallur kampion dimëror, ndërsa kategoria U17 ka siguruar pozitën e tretë në renditje.

Pionierët e udhëhequr nga trajneri Alban Nevzadi i kanë dhënë Dritës epitetin e kampionit dimëror, duke dominuar bindshëm garën.

“Bardhekaltërit” kanë realizuar plot 87 gola, kanë pranuar vetëm tre, dhe kanë mbyllur gjysmësezonin në vendin e parë me pikë maksimale  36, duke dëshmuar superioritet të plotë.

15-vjeçarët e Dritës janë të vendosur të mbrojnë titullin kampion edhe në edicionin e ardhshëm, ndërsa synimet për pjesën pranverore mbeten të larta.

Ndërkohë, ekipi U17 i FC Dritës ka përfunduar gjysmësezonin në pozitën e tretë të tabelës, duke ruajtur ambicie për ngjitje në renditje në vazhdim të kampionatit.

Lidhur me ecurinë e garave, kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit, Armend Misini, ka theksuar se kampionatet janë zhvilluar me mbarëvajtje të mirë dhe se kjo pjesë e sezonit ka përfunduar pa probleme.

Ai ka bërë të ditur se këtë vit liga është zhvilluar me format të ri të garave, ku në kategorinë U13 është hequr rezultati, ndeshjet janë zhvilluar në sistem 5 me 2, si dhe në fusha me dimensione adekuate, në përputhje me standardet e zhvillimit të futbollit për moshat e reja.

FC Drita vazhdon të tregojë përkushtim të madh në zhvillimin e gjeneratave të reja, duke synuar suksese të vazhdueshme edhe në pjesën e mbetur të kampionatit.

Shpërndaj me të tjerët