Çmimi Futbollisti i Vitit 2025, i ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës, i ka takuar Arb Manajt, sulmuesit të FC Drita, për paraqitjet e jashtëzakonshme, golat vendimtarë dhe kontributin e madh në sukseset e klubit gjatë vitit 2025.
Manaj në Albi Mall Superligën e Kosovës ka realizuar 3 gola, ndërsa në garat ndërkombëtare me fanellën e Dritës ka shënuar 5 gola, duke qenë një nga lojtarët më kyç të skuadrës dhe një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare.
I njohur për kulturën e lartë sportive, qetësinë dhe etikën profesionale, Arb Manaj është një lojtar i “pa zë”, por me ndikim të madh në fushë.
Gjatë këtij viti, ai është përballur edhe me disa lëndime që e kanë penguar herë pas here, megjithatë ka arritur të ruajë nivel të lartë performance dhe të jetë faktor vendimtar për ekipin e tij.
Ky vlerësim nga FFK është dëshmi e punës së palodhur, përkushtimit dhe karakterit sportiv të Arb Manajt, një emër që ka lënë gjurmë të veçanta në futbollin kosovar gjatë vitit 2025.

