Nga Bashkim Isufi
Kryetari i Komunës së Gjilanit po e dëshmon çdo ditë e më shumë se prioritetet personale po vendosen mbi funksionimin normal të pushtetit lokal.
Që nga dita e betimit të tij, nuk është vërejtur asnjë iniciativë konkrete për bashkëqeverisje, çka ka prodhuar mungesë stabiliteti institucional dhe ka cenuar funksionimin e rregullt të institucioneve komunale.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale Nr. 03/L-040, kryetari i komunës ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të siguruar funksionimin e rregullt të Kuvendit Komunal dhe të administratës, duke garantuar stabilitet institucional dhe shërbime cilësore për qytetarët.
Megjithatë, seanca e thirrur ditë më parë për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit u anulua dhe u shty për një afat të pacaktuar, duke thelluar edhe më tej krizën institucionale.
Kjo shtyrje ka krijuar pasiguri serioze në procesin e emërimit të drejtorëve, në drejtimin e përgjithshëm të institucioneve komunale, si dhe në miratimin e buxhetit, që është një element kyç për funksionimin e projekteve dhe shërbimeve për qytetarët.
Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Kuvendeve Komunale Nr. 04/L-046 parashikon procedura të qarta për zgjedhjen e kryesuesit dhe thirrjen e seancave, procedura që duhet të respektohen për të siguruar funksionim normal dhe demokratik të institucionit.
Në këtë kontekst, duket se për kryetarin e komunës prioriteti kryesor nuk është stabiliteti institucional, por angazhimi politik për fitoren e kandidatëve për deputet, veçanërisht të Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kjo situatë dëshmon qartë se Komuna e Gjilanit ka nevojë urgjente për institucione që funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me ligjin, e jo për interesa politike personale.
Qytetarët e Gjilanit meritojnë institucione funksionale dhe përgjegjëse, jo bllokada të përsëritura institucionale.
(Autori është jurist i diplomuar dhe Udhëheqës i Sektorit për Pune Juridike dhe të Përgjithshme në drejtorinë e Urbanizmit)

