Kurti me mesazh falënderues për qytetarët dhe mërgatën: “Mirënjohës përjetë”

 

Albin Kurti, kryeministri në detyrë  i Qeverisë së Kosovës ka përshëndetur qytetarët pas zgjedhjeve të djeshme.

Ai ka shkruar:

“Mirëdita të dashur qytetarë, Në dhjetë ditë fushatë, dhjetëra mijëra duar të shtrënguara dhe mijëra dyer të hapura nga ju, në qindra takime e tubime anembanë vendit. Na pritët me ngrohtësi e besim dhe për këtë ju falënderoj përzemërsisht. Jeni shumë, madje aq shumë sa shumicës nuk ua njohim e nuk ua dimë emrin. U angazhuat pa kursim për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me partnerë, për fitoren tuaj.

 Të dashur bashkatdhetarë që erdhët nga Evropa, Amerika dhe çdo cep i botës, ose që votuat me postë apo fizikisht në ambasadat dhe konsullatat tona, ju jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri, shtet e komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri këtë fitore aq madhështore sa historike.

Puna vazhdon, siguria dhe begatia do të shtohen.

Na priftë e mbara!”

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët