Sot, në prani të menaxhmentit të QKMF-së, Shërbimit të Stomatologjisë dhe familjes Baliu, është pensionuar Dr. Spec. Rukije Limani, pas një periudhe të gjatë dhe të ndritur pune, mbi 33 vite në shërbim të qytetarëve.
Me këtë rast, drejtori i QKMF-së, Dr. Basri Kamberi, i dorëzoi mirënjohje dhe, në fjalën e tij, vlerësoi lart profesionalizmin, përkushtimin dhe karrierën e saj shembullore, duke theksuar kontributin e çmuar që ka dhënë ndër vite në shëndetësinë publike.
Shefi i Shërbimit të Stomatologjisë, Dr. Taulant Ramadani, tha se pensionimi i Dr. Spec. Rukije Limani përfaqëson një humbje të madhe për institucionet shëndetësore të Anamoravës dhe më gjerë.
“Ajo mbetet një prej personaliteteve më të shquara të shëndetësisë, që nga fillimet e karrierës së saj në vitin 1992 e deri më sot,” u shpreh Dr. Ramadani.
Ndërkaq, udhëheqësja e MF-së, Dr. Fatime Sadiku, e falënderoi për punën e palodhshme, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm profesional.
Dr. Spec. Rukije Limani i kushtoi një jetë të tërë profesionit dhe shërbimit dinjitoz ndaj pacientëve, duke u shquar për korrektësi, urtësi dhe etikë të lartë profesionale.
Duke e falënderuar për kontributin e saj të gjatë e të çmuar, i urojmë shëndet të mirë, paqe dhe mirëqenie në kapitullin e ri të jetës së saj.
