Fondacioni SC Gjilani mbështet Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve
Sporti nuk është vetëm garë dhe emocione në fushë, ai është edhe zemër, solidaritet dhe përgjegjësi shoqërore.
Me këtë frymë, Fondacioni Sport Club Gjilani ka ndërmarrë një hap domethënës duke mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan.
Kjo iniciativë humane u bë e mundur falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të parezervë të partnerëve tanë të çmuar: “El Bau”, “Demiri Gartenbau GmbH” dhe “Autovillage AG”, të cilët qëndrojnë pranë klubit jo vetëm në sport, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.
Drejtuesit e klubit, së bashku me një pjesë të futbollistëve dhe stafit teknik, vizituan nga afër këto tri shoqata, ku u ndanë mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste, si shenjë respekti, mbështetjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë humanitare, duke synuar rritje të vazhdueshme dhe mbështetje për sa më shumë organizata e iniciativa që kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit tonë.

