SC Gjilani ka kujtuar me respekt dhe emocion njërin nga tifozët më të vjetër, më besnikë dhe më të devotshëm që ka pasur ndër vite.
Edhe pse sot ai nuk jeton më, klubi gjilanas e ka përkujtuar haxhi Fazli Fazliun përmes një fotografie dhe një mesazhi prekës, duke vlerësuar përkushtimin e tij të pandërprerë ndaj ekipit të zemrës.
“Haxhi Fazli Fazliu — zemër që nuk mungoi kurrë. E ndoqi ekipin përtej çdo sfide; sot në përjetësi, i skalitur përgjithmonë në kujtesën dhe muralet tona”, thuhet në mesazhin e klubit.
Haxhi Fazliu do të mbetet në kujtesën e tifozëve si simbol i dashurisë së pakushtëzuar, besnikërisë dhe shpirtit sportiv, vlera këto që e kanë shoqëruar SC Gjilanin ndër breza.
