Numërimi hyn në sprintin final, votat e diasporës dhe komunat e fundit në proces

 

Aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)

Në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga përfaqësitë diplomatike.

Më 27 dhjetor 2025, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165, apo 84.24%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, do të vazhdojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të tërhequra nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë.

Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN):

Nga 11 komuna, deri të  enjten në mesnatë, procesi i numërimit është përmbyllur në 5 komuna: Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë, ndërsa po vazhdon në 6 komuna: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. KQZ planifikon që aktivitetet në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen gjatë kësaj fundjave.

Deri më tani (2 janar 2026, ora 10:00), janë procesuar mbi 90% e vendvotimeve.

Procesi i numërimit ka përfunduar tashmë në 32 komuna, përfshirë: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët