Dy skuadra, një qytet, dilema e njëjtë, a po vijnë përforcime te Drita dhe Gjilani?

 

Skuadrat e futbollit të Gjilanit, Drita dhe Gjilani, së shpejti do të nisin përgatitjet për vazhdimin e kampionatit të Albi Mall Superligës së Kosovës, me synime të qarta për pjesën pranverore të sezonit.

Drita, e cila këtë edicion ka bërë histori në arenën ndërkombëtare, e mbylli gjysmësezonin në pozitën e katërt me 29 pikë, katër më pak se lideri Ballkani.

Pavarësisht kësaj diference, trajneri Zekirija Ramadani vazhdimisht ka theksuar se synimi i klubit mbetet titulli i kampionit.

“Edhe po të jemi me minus tetë pikë, synimi ynë mbetet i njëjtë, titulli”, ka deklaruar Ramadani në vazhdimësi.

Megjithatë, gjatë pjesës vjeshtore u vërejt se, edhe pse Drita kishte një fond relativisht të gjerë lojtarësh, shpeshherë u detyrua të bëjë ndryshime të shumta në formacion, gjë që ndikoi në stabilitetin e ekipit.

Kjo ka hapur dilema rreth nevojës për përforcime në afatin kalimtar të janarit.

Trajneri Ramadani ka bërë të ditur se klubi do të jetë shumë selektiv në merkato.

“Nuk do të marrim lojtarë sa për numër. Do të fokusohemi vetëm në futbollistë të sigurt, që mund të na kryejnë punë dhe të përshtaten shpejt me ekipin”, ka theksuar ai.

Megjithatë, përforcimet te Drita mbesin ende të diskutueshme dhe jo plotësisht të sigurta.

Në anën tjetër, edhe rivali lokal, Gjilani, po hyn në pjesën e dytë të sezonit me ambicie për t’u rikthyer në garën për kreun.

Klubi kuqebardhë, i cili gjatë afatit veror ishte ndër më aktivët për nga përforcimet, e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e gjashtë me 26 pikë, larg pritshmërive fillestare.

Rezultatet jo të kënaqshme çuan edhe në ndërrimin e trajnerit, ndërsa aktualisht skuadra drejtohet nga Debatik Curri.

Ai ka bërë të ditur se vendimet për përforcime do të merren pas analizave të detajuara me stafin drejtues.

“Do të ulemi dhe do të shikojmë me kujdes se çfarë na nevojitet. Nuk do të marrim lojtarë vetëm për ta plotësuar numrin, por vetëm nëse është e domosdoshme dhe nëse bëhet fjalë për përforcime reale”, ka deklaruar Curri.

Gjilani pati një start të dobët sezonal, por pas ndryshimeve në bankinë, forma e skuadrës ka shënuar përmirësim të dukshëm.

Aktualisht, kuqebardhët janë vetëm tri pikë larg pozitës së tretë dhe shtatë pikë prapa vendit të parë, çka e mban ekipin ende në garë.

Një nga dobësitë kryesore të vërejtura gjatë ndeshjeve tw Gjilanit ka qenë mosdominimi në duelet për topin e dytë, apo mos kapja e tyre, veçanërisht pas dueleve ajrore ku sulmuesi shtatlartë Senad Jarović shpesh fiton topin e parë, por pa pasur vazhdimësi nga bashkëlojtarët.

Në përfundim, mbetet të shihet nëse Drita dhe Gjilani do të reagojnë në afatin e janarit me përforcime konkrete, apo do të vazhdojnë betejën për objektivat e tyre me fondin aktual të lojtarëve.

 

Shpërndaj me të tjerët