Falë vullnetit të një mërgimtari me zemër malësori, rruga Suharrnë sot është e kalueshme
Falë vullnetit, përkushtimit dhe dashurisë së një mërgimtari me zemër malësori, një rrugë që për vite me radhë ishte thuajse e pakalueshme, sot është funksionale dhe në shërbim të komunitetit.
Bëhet fjalë për një malësor të vërtetë, të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe njerëzit e saj, me të cilin çdo bisedë lidhet natyrshëm me hallet, dertet dhe projektet që prekin drejtpërdrejt Malësinë tonë.
Një njeri që gjithmonë ka folur me vepra, duke qenë pothuajse i pranishëm në çdo aksion dhe nismë që i shërben së mirës së përbashkët.
Vepra që e veçon më së shumti është nisma dhe udhëheqja e zgjerimit, shtrimit dhe hapjes së rrugës Suharrnë, nga Xhamia e Zarbicës deri në ledinat e Suharrnës.
Kjo rrugë, disa kilometra e gjatë, për shumë vite ishte e përdorshme vetëm nga mjete të rënda dhe në kushte të vështira, ndërsa sot, falë përkushtimit të një mërgimtari me shpirt malësori, është e kalueshme dhe e frekuentuar edhe nga automjete normale.
Përmes kësaj rruge, shumë banorë të asaj treve tashmë kanë mundësi që më lehtë, më sigurt dhe më dinjitetshëm të vizitojnë pronat dhe shtëpitë e tyre.
Sevdail Haziri ishte iniciatori i kësaj vepre të mirë, e cila me plot të drejtë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme për zonën, pas asfaltimit të rrugës Muhocë–Zarbicë.
Rreth kësaj nisme u bashkuan në mënyrë të natyrshme edhe shumë banorë të asaj ane, duke dëshmuar se puna e mirë bashkon dhe forcon komunitetin.
Nga aspekti moral dhe njerëzor, institucioneve përkatëse u është dorëzuar një kërkesë për emërtimin e kësaj rruge, apo të një pjese të saj, me emrin e Sevdail Haziri, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë.
Mërgimtarit dhe biznesmenit me zemër malësori, Sevdail Haziri, i urojmë shëndet dhe mbarësi, duke u lutur që Allahu i Madhëruar ta shpërblejë me shpërblimin më të mirë këtë vepër të dobishme për njerëzit dhe vendin.
Mirënjohje për secilin që kontribuoi për Malësinë dhe për të mirën e përbashkët.
