Sot, në një ceremoni zyrtare, FC Drita vendosi gurthemelin e kampit të ri stërvitor, një projekt i madh dhe unik në Kosovë sa i përket klubeve të Superligës së Kosovës.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfaqësues të klubit, futbollistë, trajnerë, mysafirë, media dhe dashamirë të sportit.
Në fjalën hyrëse, drejtori i përgjithshëm i FC Drita-s, Feti Murseli, shprehu falënderim të veçantë për dy presidentët e klubit, duke theksuar se pa përkrahjen e tyre ky projekt nuk do të ishte i mundur.
Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, shprehu përkrahjen e plotë për klubin, duke theksuar se komuna do të mbështesë çdo iniciativë që është në të mirë të sportit, ndërsa rikujtoi se komuna ka ndarë një parcelë të madhe toke për realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, premtoi se Federata do të kontribuojë me tapetin e barit natyral për fushën stërvitore.
Projekti “Kampi i FC Drita-s” pritet të përfundojë brenda 300 ditësh, në varësi të kushteve atmosferike, ndërsa vlera e investimit kap shumën prej rreth 400 mijë euro, me FC Drita-n si investitor të drejtpërdrejtë.

