Miratohet buxheti 2026 në Gjilan, Gentrit Murseli prezanton qëndrimin e LDK-së

 

Gentrit Murseli, këshilltar komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan ka prezantuar qëndrimin e partisë së tij gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku u miratua buxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2026 në vlerë prej 41.928.924 euro.

“Sot, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, buxheti për këtë vit u miratua unanimisht”, ka shkruar ai, duke bërë të ditur se në emër të LDK-së ka prezantuar vërejtjet dhe propozimet lidhur me planifikimin buxhetor.

Sipas tij, vetëm 16,34 për qind e buxhetit të përgjithshëm janë të dedikuara për investime kapitale, çka sipas LDK-së mbetet shqetësuese. Megjithatë, Murseli  ka vlerësuar pozitivisht reflektimin e kryetarit të komunës për të ofruar mundësi për përfshirje të opozitës në procesin e planifikimit buxhetor.

LDK ka dorëzuar një listë me 18 projekte komunitare, nga të cilat janë përkrahur për zbatim këto projekte:

  1. Rregullimi i pjerrinave të trotuareve në qendër të qytetit – 50.000 €
  2. Riasfaltimi i rrugës “Islam Islami” dhe ndërtimi i trotuarit në Livoqin e Ultë – 63.000 €
  3. Rikonstruktimi i urës për këmbësorë në Livoqin e Ultë – 30.000 €
  4. Rikonstruktimi i urës në fshatin Llashticë – 40.000 €
  5. Rikonstruktimi i urës në fshatin Lladovë – 40.000 €
  6. Rregullimi i shtëpisë muze të dëshmorit Pajazit Ahmeti – Paja
  7. Nivelizimi i pagave për zjarrfikësit

Ndërkohë, dy projekte të tjera pritet të shqyrtohen nga mjetet e bartura nga viti i kaluar:

  • Investimi në parkun e lagjes Arbëria
  • Investimi në blerjen e një veture për ofrimin e shërbimeve mjekësore nga QKMF-ja

Po ashtu, janë pranuar edhe kërkesat buxhetore të paraqitura nga asamblisti i LDK-së, Muhadin Haziri, në emër të Këshillit të fshatit Zhegër.

Në fund, këshilltari Murseli ka falënderuar të gjithë këshilltarët e LDK-së për angazhimin e treguar në këtë proces, si dhe ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin me kolegët nga të gjitha subjektet politike në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët