Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, ka falënderuar këshilltarët komunalë pas miratimit të buxhetit të Komunës së Gjilanit për vitin 2026.
Ajo ka bërë të ditur se në seancën e Kuvendit Komunal, buxheti për vitin 2026 është miratuar me 33 vota për, duke e cilësuar këtë si një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit.
Latifi-Kqiku ka shprehur mirënjohje për të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal, pa dallime partiake, të cilët unanimisht votuan buxhetin më të lartë ndonjëherë në historinë e Komunës së Gjilanit, në vlerë prej 42 milionë euro.
Sipas saj, ky buxhet krijon bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve zhvillimore dhe për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Gjilanit.
“Ky është një hap i rëndësishëm për garantimin e zhvillimit të qytetit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Angazhimi për Gjilanin do të vazhdojë me përgjegjësi dhe transparencë”, ka theksuar kryesuesja e Kuvendit Komunal.
Miratimi i buxhetit 2026 vlerësohet si një moment kyç për avancimin e projekteve kapitale dhe forcimin e shërbimeve komunale në Gjilan.
