Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka përkujtuar me respekt dhe emocione të thella dëshmorët e kombit, Rexhep Malajn dhe Nuhi Berishën, duke theksuar sakrificën sublime të familjeve të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Haziri ka shkruar se sot, familjet Mala dhe Berisha, ashtu si çdo vit, përjetojnë njëkohësisht krenarinë më të madhe dhe dhimbjen më të thellë, pasi i dhanë kombit dhe atdheut më të dashurit e tyre, për t’u dhuruar miliona shqiptarëve lirinë dhe pavarësinë në republikën e tyre.
“Sot na mungon shembulli i qëndresës dhe simboli ynë, babai i dëshmorit Nuhi Berisha, baca Rexhë”, ka shkruar Haziri, duke e vlerësuar figurën e tij si një shtyllë morale dhe frymëzim brezash.
Ai e ka falënderuar bacën Rexhë për rreth një shekull jetë në shërbim të idealeve kombëtare, duke theksuar se ai na mësoi qëndresën, dinjitetin dhe mosnënshtrimin, pa u koritur asnjëherë para familjes, atdheut dhe Zotit.
Në fund të mesazhit të tij, Haziri ka shprehur lavdi të përjetshme për veprën heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, si dhe për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit, duke nënvizuar se sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin është ndërtuar liria e Kosovës.
