Braziliani Luan Isac forcon KV Drita – Meshkujt
KV Drita Meshkujt ka zyrtarizuar përforcimin e parë për këtë vit, duke sjellë në Gjilan brazilianin Luan Isac, një lojtar me potencial të madh dhe energji të spikatur në parket.
Klubi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Isac, i cili vjen me përvojë ndërkombëtare dhe stil loje dinamik, elemente këto që pritet t’i japin një dimension të ri ekipit në vazhdim të sezonit.
Luan Isac luan në pozitën e pranuesit dhe së fundmi ka përfunduar sezonin në Superligën C të Brazilit, ku është stolisur me medalje të bronztë, ndërsa në disa ndeshje është shpallur edhe MVP, duke dëshmuar cilësitë e tij teknike dhe ndikimin në lojë.
Drejtuesit e KV Drita vlerësojnë se ky përforcim rrit ndjeshëm gjasat e ekipit për një paraqitje më të fortë në pjesën e dytë të kampionatit, duke e forcuar dhe kompletuar skuadrën si në aspektin ofensiv ashtu edhe në atë defensiv.
Aktualisht, KV Drita renditet në vendin e tretë në tabelë me 24 pikë, vetëm një pikë më pak se Ferizaj në vendin e dytë dhe gjashtë pikë larg liderit Peja, duke mbetur fuqishëm në garë për objektivat e sezonit.

